Masat që Bashkimi Evropian i ka marrë kundër Kosovës, për shkak të mospërfilljes së kërkesave për shtensionimin e situatës në pjesën veriore, rrezikojnë projekte milionëshe sipas disave, por nuk pritet të ndikojnë në procesin e integrimit evropian.
“Efektet e këtyre masave janë proporcionale, pasi që përçojnë mesazhin e rëndësishëm të pakënaqësisë nga ana e BE-së, por nuk shkaktojnë dëm thelbësor në rrugën tonë evropiane”, thotë për Radion Evropa e Lirë Demush Shasha, nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane.
Masat e BE-së përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarje të nivelit të lartë, si dhe të vizitave dypalëshe nga BE-ja dhe vendet anëtare. Po ashtu janë paralajmëruar pasoja financiare, përkatësisht pezullimi i financimit të disa projekteve të propozuara nga Kosova në kuadër të Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor.
“Unë shpresoj që këto projekte, jashtëzakonisht të rëndësishme, në asnjë formë të mos anulohen, por pezullimi i tyre të arrijë efektin e nevojshëm të dakordimit të qëndrimeve mes Kosovës dhe BE-së”, thotë Shasha.
Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor është një iniciativë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare dhe donatorëve, që synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kosova mbështetet nga ky mekanizëm që nga viti 2009. Në një dokument të tij thuhet se në Kosovë janë mbështetur 30 projekte në vlerë prej 1.8 miliard eurosh deri në shtator të vitit 2021.
Projektet përfshijnë ndërtimin e rrugëve, rehabilitimin e hekurudhave, sistemet e ngrohjes qendrore dhe përmirësimin e sistemit të ujërave të zeza.
Shasha thotë se për vitet 2023-2030, në kuadër të këtij mekanizimi, në Kosovë janë paraparë edhe projekte të tjera, si: Autostrada e Paqes Prishtinë – Nish, rruga hekurudhore Beograd – Prishtinë, ngrohja diellore për Prishtinën, impianti për trajtimin e ujërave të zeza për Prishtinën e të tjera. Lexo artikullin e plotë/REL