Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi gjatë seancës së Kuvendit të ditës së sotme u shpreh se paralajmërimet për sanksione të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës janë shqetësuese.
“Ajo çka kemi dëgjuar dhe pa ditëve të fundit është shqetësuese për neve. Paralajmërimet për masa shtrënguese për institucionet e Kosovës, ndaj qytetarëve të Kosovës dhe zyrtarëve më të lartë të shtetit të Kosovës…
Nëse janë të vërteta këto, atëherë ky është dëmi më i madh që i bëhet Kosovës dhe këtu lind pyetja se çfarë borxhi ka Kosova që me ia bërë këtë dëm”, tha ai.
Gashi shtoi se rrëmbimi i tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, brenda territorit të vendit, është agresion ndaj sovranitetit të Kosovës.
“A jeni të sigurt se po kërkoni angazhimin më të rëndësishëm të KFOR-it në kufijtë e Kosovës dhe pjesët veriore të Kosovës.
A jeni të sigurt se çfarë pasoje prodhon kjo dhe a jeni të sigurt se me gjendjen që po krijohet në veri, mund të kemi kërkesë nga KFOR-i të largimit të gjitha strukturave të shtetit të Kosovës nga veri.
Ky do të ishte problem shumë i madh për Kosovën”, shtoi Gashi.