Operacioni i përbashkët u zhvillua nga Fast Albania, në bashkëpunim me DVP Vlorë, Interpol Tiranën, Zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri dhe Interpol Romën. Ky operacion u zhvillua në të njëjtën kohë, në Itali, Shqipëri, Zvicër, Slloveni, Francë dhe Belgjikë, si dhe u koordinua nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit në Lion.
Lokalizohen në Vlorë, kapen dhe vihen në pranga me qëllim ekstradimin drejt Italisë, 2 shtetas shqiptarë të kërkuar ndërkombëtarisht për vjedhjen me dhunë të disa mjeteve motorike në Italinë veriore.
Sekuestrohen në Vlorë, 1 mjet ekskavator, 1 mjet kamion dhe 1 mjet lundrues gomone. Në total gjatë këtij operacioni, në Itali dhe në Shqipëri, janë arrestuar 14 shtetas dhe për 3 shtetas të tjerë është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Në kuadër të këtij operacioni të zhvilluar në Vlorë, u kapën dhe u vunë në pranga 2 shtetasit e kërkuar ndërkombëtarisht, autorë të dyshuar për vjedhjen me dhunë të 10 mjeteve motorike në Itali, konkretisht: –Eduart Alikaj, 51 vjeç, banues në Vlorë dhe Feta Shametaj, 28 vjeç, banues në Vlorë.
Shtetasit Eduart Alikaj dhe Feta Shametaj ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Torinos, me vendimin e datës 04.05.2023, iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet që këta shtetas përdornin, në fshatin Babicë, u gjetën dhe u sekuestruan 1 mjet ekskavator i dyshuar i vjedhur, 1 mjet kamion, brenda të cilit është gjetur 1 mjet lundrues gomone me gjatësi rreth 13 metra, me 3 motorë (marka “Yamaha”), me fuqi 415 KF, që dyshohet se mund të përdorej për ngjarje kriminale.