-sidi education-spot_img
-0.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Lutfi Dervishi: (Ar)miqësia me kanabisin!

Kryesoret

Lajmi për legalizimin e kanabisit (për qëllime mjekësore) nuk mori vëmendjen e duhur për shkak të zhvillimeve më të rëndësishme ditën e djeshme.

Duhet thënë se në këtë pikë, qeveria shqiptare po jep shembullin se si zgjidhen problemet komplekse që shpesh po shkaktojnë dhimbje koke te qeveritë demokratike, euro-atlantike.

Veç një moment, imagjinoni një situatë sikur të mos kishim legalizimin e kanabisit se çfarë do të kishim?

Padyshim, debate dhe diskutime pa fund për të mirat dhe të këqijat e kanabisit. Orë të tëra të çuar dëm në televizione, në Parlament dhe në 20 mijë baret dhe kafetë e Shqipërisë.

Po të mos legalizojmë kanabisin do të kemi ligje pa fund, akte nënligjore, VKM, burokraci, polici, burgje, monitorim nga ajri të Guardia di Financa, aksione të RENEA-s, kryepleq në qeli, policë që kthehen në korrës të dalluar, gazetarë që shëtisin nëpër studio, etj, etj.

Eshtë e lehtë të bësh rolin e kritizerit, por me legalizimin ulet edhe krimi.

Po, mos u çudisni, krimi zhduket tamam si ai lepuri që zhduk magjistari në kapele.

Bashkë me të ikën edhe tregu i zi i mini-qeseve në kuadër të reformës anti-qese për të ulur nivelin e plastikës. #STOPQESEVETËDROGËS

Kush ka nevojë për treg të zi, kur dhënia dhe marrja e kanabisit bëhet e ligjshme dhe të dalë për konsumatorët me kushtet optimale si në vendet e tjera ku aspirojmë të shkojmë, Kolumbi, etj?

I mbani mend kronikat e ruajtura në kaseta VHS kur luftohej kanabisi me qese që derdheshin nëpër lumenj dhe na ndosnin mjedisin? Po pamjet kur digjeshin malet e canabisit dhe sërish jepnim kontributin tonë negativ në zgjerimin e Vrimës së Ozonit ose të ashtëquajturit “efekti serë?”

#STOPTYMITTËDROGËS

Kjo është e shkuara. E ardhmja është digjitalizimi,  ekonomia digjitale, ekonomia në përgjithësi, mjedisi i pastër.

Lulëzon ekonomia si me magji.

Ekonomia bëhet më e shëndetshme sepse legalizohet paraja. Leku mund t’i thyejë nofullat se dhëmbët ja ka thyer me kohë, euros, dollarit, jenit, paundit dhe madje të gjithëve të bërë bashkë. Ekonomi e shëndetshme do të thotë edhe njerëz të shëndetshëm. Kanabisi dihet që përdoret për qëllime mjekësore.

Me legalizimin e kanabisit, thellojmë edhe bashkëpunimin me partnerët dhe aleatët dhe shuajmë tensionet që janë shfaqur. Deri më tani ka patur diskutime me Brukselin dhe të tjerët. Mjaft më me negociata komplekse dhe demarshe diplomatike. Me legalizimin jemi krejt në rregull. Edhe një hap përpara drejt BE-së.

Kemi 30 e kusur vjet që luftojmë, tri dekada të përgjakshme luftë ndaj kanabisit. E çfarë fituam duke i shpallur luftë një bime krejt të pafajshme dhe siç po del një bime kurative si kanabisi?  Luftë ndaj parave të pista. Po a ka qenie më të drojtur dhe të pafajshme se paraja?  Luftë ndaj ndërtimeve të paligjshme. Tritol. Shkretim. Varfëri. Luftë ndaj basteve. Po a bëhet luftë ndaj argëtimit? Një jetë ka shqiptari. Do ta kalojë gjithë jetën duke luftuar njëkohësisht në disa fronte?! Pse të mos provojmë paqen. Aq më tepër na del e na tepron lufta në Ukrainë.

Lufta me kanabisin mori fund. Tek e fundit për këtë luftë u bë edhe një konsultim popullor ku 61% votuan kundër luftës dhe pro paqes.

Çfarë do populli, bën qeveria! (tani dikush do të pyes:  Po pse nuk bëhet konsultim popullor: A ta rrisim asistencën, a ta rrisim pagën, a ta rrisim pensionin?)

Përgjigja është e thjeshtë: Është një betejë që nuk e fiton dot edhe pse ka shumë dëshirë. Qeveria është e bindur që populli vetë nuk e do paqen për këtë çështje se pastaj nuk ka me çfarë të merret dhe s’ka për çfarë e shan politikën. Nëse përfundon sherrnaja popull-politikë, atëherë s’ka më biseda tavolinash por njerëzit do flasin për politikën e vendeve të tjera e jo tonën.

Qeveria tani për tani po kujdeset të shuaj vatrat e konfliktit dhe me një goditje magjike,  e gjeti zgjidhjen: Jo luftë, por paqe. Amin!

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit