Një ditë pasi rusët votuan në një referendum kombëtar që shërbeu si votë besimi për presidencën e lëkundur të Boris Yeltsinit, homologu i tij amerikan i bëri një telefonatë.
Biseda e Bill Clintonit me Yeltsinin, më 26 prill, 1993 – një prej disa bisedave dhe takimeve të drejtpërdrejta që dy udhëheqësit patën në muajt e parë të presidencës së Clintonit – ishte miqësore, mbështetëse dhe optimiste.
“Dua ta dini se jemi me ju”, tha Clinton, sipas një memorandumi të deklasifikuar së voni, që ofron detaje në lidhje me këtë telefonatë.
“Jam vërtet mirënjohës për politikën tuaj të zgjuar”, u përgjigj Yeltsin.
“Ju falënderoj për thirrjen. Është shumë e rëndësishme për mua personalisht. Ju falënderoj jo vetëm për mua dhe gruan time, por për gjithë popullin rus”, tha ai.
Memorandumi është i fundit në një seri dokumentesh të deklasifikuara dhe të publikuara nga Arkivi i Sigurisë Kombëtare në SHBA.
Dokumentet ofrojnë një tjetër pamje të marrëdhënieve SHBA-Rusi, të cilat nisën të prishen sidomos nën pasardhësin e Yeltsinit, Vladimir Putin.
Një organizatë joqeveritare e vendosur në Universitetin George Washington në Uashington, Arkivi i Sigurisë Kombëtare, publikoi edhe dokumente të tjera të deklasifikuara, që hedhin dritë mbi diskutimet e brendshme të administratave të kaluara presidenciale.
Së bashku me dosjet e tjera që u publikuan nga ish-këshilltarë të Shtëpisë së Bardhë, dokumentet ofrojnë informacione se si evoluoi politika e SHBA-së dhe – në disa raste – si dhe ku gabuan administratat amerikane në raport me Moskën.
“E keni ndjenjën e një mundësie të humbur nga ana e udhëheqjes aktuale ruse”, thotë Jonathan Elkind, i cili ka shërbyer si drejtor i programit rus, ukrainas dhe euroaziatik në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, në vitet e mëvonshme të presidencës së Clintonit./REL
Artikulli i plotë këtu.