Kurti humb mbështetjen e perëndimorëve edhe pse frika e qeverisë së Kosovës nuk është aq pa bazë. Mediat gjermanishtfolëse rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë.
Gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” në analizën e saj me titull “Kosova jashtë loje” shkruan për historinë e gjatë të konfrontimit që ka kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me aleatët perëndimorë dhe konstaton, se realisht bëhet fjalë për një kokëfortësi që e dëmton Kosovën, me gjasa për një kohë të gjatë.
“Kurti e ka humbur hë për hë mbështetjen e SHBA dhe BE për Kosovën. Jo Serbia, por Kosova shihet në Bruksel dhe Uashington si punëprishëse në Ballkan. Dhe kjo, megjithëse Beogradi qëndrimin e tij obstruktiv nuk e ka ndryshuar, me të cilin gjithë kohës e ka penguar zgjidhjen e konfliktit të Kosovës”, analizon Reinhard Veser në gazetën gjermane.
Ndërsa gazeta “Neue Zürcher Zeitung në një artikull me titullin “BE vendos sanksione kundër Kosovës”, shkruhet se Brukseli po e shtrëngon vidën për Kosovën që i qëndron palëkundur qëndrimit të saj të fortë. “Brukseli dhe Uashingtoni zemërohen që Kurti në konfliktin për veriun e Kosovës ndjek axhendën e tij…
Menaxherët perëndimorë të krizës e dinë mirë se me çdo ditë rritet rreziku i shkallëzimit. Me masat e tyre ata duan ta vendosin Kurtin në një presion të madh që të organizojë zgjedhje në veri dhe të paraqesë propozimin për themelimin e Asociacionit pjesërisht autonom. Por Kurti njihet për atë që nuk i ikën konfrontimit. Por ai nuk mund t’i qëndrojë gjatë pa bërë gjë kërkesave që vijnë nga Uashingtoni dhe Brukseli- Prishtina është në plan afatgjatë si nga ana ekonomike edhe diplomatike e varur nga perëndimi.”
Ndërsa në një analizë të historianit për Evropën Juglindore, Oliver Jens Schmitt në radion gjermane, Deutschlandfunk Kultur, theksohet pse pala kosovare nuk pranon Asociacionin e Komunave Serbe./DW