Në fund të shekullit, më shumë se dy miliardë njerëz do të jetojnë në vende ku i nxehti ekstrem do të jetë kërcënues për jetën, thonë studiuesit në Evropë dhe Kinë. Sipas një studimi të publikuar së fundmi, një e pesta e popullsisë së botës do të përballet me këtë kërcënim.
Studiues nga Kina, Holanda dhe Britania paralajmërojnë se nxehtësia ekstreme do ta bëjë jetën të padurueshme në pjesën jugore të globit.
Sipas raportit “Kostoja Njerëzore e Ngrohjes Globale”, të publikuar në revistën “Nature Sustainability”, disa zona në Indi, Nigeri dhe Indonezi do të bëhen pothuajse të pabanueshme për shkak të nxehtësisë ekstreme.
India tashmë po përballet me valë të nxehtësisë ekstreme, duke lëshuar këtë vit paralajmërime për pasojat e rënda nga temperaturat e larta në shtatë shtete qendrore dhe jugore të vendit.
Tim Lenton, profesor në Universitetin Exeter dhe një nga autorët e raportit, thotë se edhe vendet e Evropës do të bëhen më të thata nga rritja e temperaturave. Ai i përshkruan zonat që do t’i mbijetojnë mirë nxehtësisë si të favorizuara.
“Temperatura dhe reshjet së bashku ndërtojnë një strukturë interesante që krijon kushtet për një jetë të mirë për njërëzit në zonat më të ftohta. Zonat me temperatura të larta nuk janë të mira për jetën, ndërsa ato që ndikohen nga shirat monsune, i nxehti dhe lagështia ofrojnë kushte më të mira për jetën. Dhe situata është e rëndë në zonat me temperatura shumë më të larta”, thotë zoti Lenton.
Sipas vlerësimeve më konservatore të studimit, në vitin 2100 temperatura do të arrijë 2.7 Celsius mbi nivelet që ishte në periudhën para zhivillimit industrial./VOA
Artikulli i plotë këtu.