Një pjesë e deputetëve nuk kishin certifikata sigurie duke dështuar mbledhjen e komisionit të Sigurisë.
Shefja e SHISH-it nuk ka raportuar në komisionin e Sigurisë Kombëtare për situatën në Kosovë. Seanca ka dështuar.
Tensioni në Kuvend ishte i fortë. Debate, akuza dhe ngritje tonesh. Deputetët e opozitës u përfshinë në akuza me drejtuesin e komisionit Nasip Naço.
Deputeti Ervin Salianji pyeti Vlora Hysenin nëse është shkarkuar nga Agjencia e Inteligjencës së Kosovës për lidhje me Serbinë dhe a ka qenë në Beograd pasi u zgjodh në krye të SHISH-it?
Naço i kërkoi të mos përgjigjet Hyseni dhe e mbylli mbledhjen pasi sipas tij anëtarët nuk kanë certifikatë sigurie që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura.
“Seanca mbyllet. Gjithë të tjerët, nuk kanë certifikatë, nuk bëhet dot kuorumi. Kur të pajisjen kolegët me certifikatë ju do të vini në “kalendat greke” të raportoni” tha Naço.
Ferdinand Xhaferaj: Dua fjalën për procedurë përpara se ta marrë fjalën kryetarja. Doni të na merreni edhe fjalën.
Nasip Naço: Janë në depresion…
Ferdinand Xhaferaj: Po, po, na mbytën skandalet, krimi i organizuar, skandalet seksuale…po, po na mbytën.
Nasip Naço: Duke qenë se raporti në veri të Kosovës është çështje sensitive do të kërkoja mendimin tuaj…
Ferdinand Xhaferaj: Unë jam n/kryetar i këtij komisioni….
Nasip Naço: Unë e kuptoj që jeni akoma në depresion.
Flamur Noka: Nuk jeni mjek për të kuruar diagnoza.
Ferdinand Xhaferaj: Dua fjalën për procedurë.
Ervin Salianji: Ti nuk je pronar i komisionit.
Nasip Naço: Ore akoma nuk kam mbaruar fjalën unë…kur të dalë media jashtë do të bëheni shumë të urtë ju…
Flamur Noka: Këtu nuk ka lule mos më prek…
Nasip Naço-Salianjit: Ti kujton se më lëviz ndonjë qerpik mua?
Ervin Salianji: A kanë qenë arsye e shkarkimit tuaj (Vlora Hyseni) lidhjet me Serbinë? Udhëtimi dhe qëndrimi në Serbi, a një shqetësim nga drejtuesi i institucioni për shpartallimin e institucionit…
Nasip Naço-Hysenit: Mos iu përgjigj pyetjeve të zotërisë.
Ervin Salianji: Mos bëni si gangster këtu. Mos më bëj si kapadai këtu. Ose vazhdo me rregullat ose mos më bëj si i pari i fshatit këtu.
“Nuk më lëviz qerpiku”! Debat mes deputetëve, Xhaferaj: Na mbytën skandalet