Një marrëveshje për krijimin e një zone të lirë tregtare midis Iranit, Rusisë dhe disa shteteve të tjera në rajonin e Euroazisë mund të arrihet në fund të këtij viti.
Zëvendëskryeministri rus, Alexei Overchuk, i tha agjencisë së lajmeve ruse TASS, se bisedimet midis Bashkimit Ekonomik të Euroazisë – ku bëjnë pjesë Armenia, Bjellorusia, Kazakistani, Kirgizia dhe Rusia – dhe Iranit janë në fazën finale.
“Ne po lëvizim përpara. Ne shpresojmë shumë që një marrëveshje e tillë do të mund të nënshkruhet deri në fund të këtij viti”, tha Overchuk.
Si ky rajon, ashtu edhe Irani janë bërë më të rëndësishme për Kremlinin, pasi sanksionet perëndimore për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, i kanë kufizuar Moskës rrugët e tregtisë së jashtme dhe e kanë detyruar atë që të kërkojë tregje jashtë Evropës.
Megjithatë, pavarësisht thellimit të raporteve mes Moskës dhe Teheranit që nga nisja e pushtimit dhe nisjes së blerjes së dronëve të prodhimit iranianë për të sulmuar Ukrainën, tregtia mes dy shteteve është rritur pak.