Thellohet akoma më shumë përçarja brenda PD-së. Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi deklaroi sot se bashkë me 17 anëtarë të grupit parlamentar nuk do të marrin pjesë nesër në mbledhjen e Këshillit Kombëtar.
Sipas tij, mbledhja e këshillit po merret në kundërshtim me statutin, pasi sipas tij, i janë hequr kompetencat që ka për të organizuar zgjedhjet dhe mbledhur forumet si sekretar i përgjithshëm. Me një gjuhë të fortë, që shkonte për grupin e Bashës, Bardhi tha se PD po vazhdon me historinë e shëmtuar të së vjetrës.
“Një pjesë e Kryesisë e rrëzoi platformën e ringritjes nga baza në qendër. Vendimet dëshmojnë nxitim, pasiguri dhe shkelje të rënda të statutit që nuk e zgjidhin situatën që po kalon PD. Edhe sot grupi është i bindur që rruga që po ndiqet është e gabuar. Si sekretar kam detyrimin t’i nënshtrohem vullnetit të shumicës.
Por ne kemi detyrimin t’i bëjmë publike aktet në shkelje të statutit që garantojnë bashkëjetesën dhe kushtet e barabarta. Nxitimi për të zgjedhur një kryetar nuk është shpëtimi i PD-së, por po veprohet sipas interesit personal. Pasi u njoha dje me zyrtarizimin e mbledhjes së këshillit, deklaroj se bie ndesh me statutin e PD-së dhe vetë vendimet.
Vendimi i kryesisë ia heq kompetencat sekretarit duke ia kaluar, zyrtarëve që nuk kanë asnjë përgjegjësi për organizimin e partisë apo këshillit. Sipas statutit organizimi i partisë dhe organeve është përgjegjësi e sekretarit të përgjithshëm. Vendimi shkel statutin dhe të gjitha rregullat. Për këto arsye, pas konsultimit, 17 anëtarë të grupit të PD-së vendosën mos pjesëmarrjen në mbledhjen e nesërme të organizuar kundër statutit.
Procesi nuk duhet t’u ngjajë proceseve të së shkuarës. Kjo është një histori e shëmtuar, e paligjshme dhe anti-statutore. Mendoja se jemi distancuar të gjithë bashkë nga kjo rrugë. Nuk mund të ndryshojë sipas interesit personal. Sajohen provokime dhe devijime nga statuti që na ndajnë. Kujt i intereson?” tha ai.