Zgjedhjet e 14 Majit lanë një njollë të zezë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Identifikimi elektronik i votuesve dështoi në 550 qendra votimi. Edhe vetë kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi nuk arriti të votonte për shkak se pajisja identifikuese nuk funksionoi.
Kryeministri Edi Rama ishte i ashpër me KQZ-në, aq më tepër pasi në media bënë xhiron disa pamje teksa në një person i hidhte pajisjet nga distanca në një kamion pa përgjegjshmëri.
Në fund të certifikimit të procesit të 14 Majit, KQZ ka nisur hetimin administrativ për rastin e dështimit. Për të zbuluar arsyen se çfarë shkoi keq në 550 qendrat e votimit, KQZ ka hapur një tender 45 milionë lekë pa TVSH për të kontraktuar një kompani e cila do të bëjë ekspertizën për të gjetur shkakun. “5Pyetjet.al” publikon dokumentet e tenderit.
“Objekti i kontratës: Shërbim (kompani/ ekspertë) për verifikimin e shkaqeve të mosfunksionimit të (PEI) në disa qendra votimi në zgjedhjet e datës 14 maj 2023. Fondi limit: 4,500,840 (katër milionë e pesëqind mijë e tetëqind e dyzet) lekë pa TVSH” theksohet në dokumentet e procedurës së prokurimit.
Afati i fundit për paraqitjen dhe hapjen e ofertave është 30/06/2023 Ora: 14:00 më pas do të shpallet fituesi që do të ketë 25 ditë kohë për të gjetur shkakun e dështimit.
“PEI” ose pajisja e identifikimit elektronik me nënshkrim biometrik është përdorur për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2021 në Shqipëri në të gjithe vendin, si dhe ne zgjedhjet e pjesshme te vitit 2022. Tenderi për pajisjet elektronike ka kushtuar 23 mln euro.