Olta Gixhari është një aktore e mirënjohur e skenës dhe kinematografisë shqiptare. Ajo ka lindur në Durrës më 8 korrik të vitit 1986. Ka luajtur në Teatrin Kombëtar ku disa nga shfaqjet e saj më të suksesshme kanë qenë: “Pamje nga ura” (2007), “Filumena Marturano” (2009), “Tri Motrat” (2016).
Gjatë këtyre viteve ajo ka marrë mijëra duartrokitje të ngrohta nga publiku për interpretimet e saj të shkëlqyera. Por aktrimi nuk ka qenë dashuria e saj e parë. Kjo pasi Olta në fëmijëri ka qenë pjesë e grupeve të kërcimit në Durrës. Derisa e kuptoi që ishte e destinuar të aktronte.
Edhe pse prindërit e saj nuk kanë qenë dakord kurrë që ajo të bëhej pjesë e botës artistike, Olta ndoqi zërin e shpirtit të saj dhe nuk vazhdoi ekonomikun siç donte familja.
Ngjitja e parë serioze në skenën e Teatrit Kombëtar ka qenë kur ajo ishte në vitin e tretë të studimeve të larta. Në një nga provat e realizuara asaj kohe së bashku me profesor Timo Fllokon dhe regjisor Albert Mingën, Olta Gixhari arriti ta siguronte atë vend me talentin dhe punën e palodhur.
Edhe pse dashuria për teatrin ka qenë mjaft e madhe, aktorja kurrë nuk ka qëndruar e fokusuar plotësisht aty. Ajo është bërë pjesë edhe e botës kinematografike. Këtu mund të përmendim: “Pharmakon” (2012), “Amsterdam Express” (2014), “Love” (2021), “Bolero në vilën e pleqve” (2022).
Ndër vite Olta Gixhari ka marrë pjesë në dalje të ndryshme televizive. Ajo ka qenë prezantuese e reality show “Kafazi i Artë”, pjesë e spektaklit “Në 1 Javë”. Dhe së fundmi pjesë e edicionit të dytë të “Big Brother VIP Albania”.
Aktorja arriti të qëndronte mbi 100 ditë e izoluar brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri. Por me vendimin e saj e ndërpreu garën. Olta ka tërhequr vëmendjen e të gjithë shqiptarëve me karakterin e saj të fortë dhe unik.