Qytetarët serb të Graçanicës kanë protestuar sot kundër arrestimit të Dragisha Milenkoviç, i cili dyshohet për krime lufte në Kosovë gjatë viteve 1998/99.
Ata kanë marshuar para stacionit të policisë me pankartat në duar në të cilat thuhej “Të lirohen serbët tanë të pafajshëm”, “Drejtësi për popullin serb”, “Mos i kriminalizoni serbët”.
Asnjë incident nuk u regjistrua gjate këtij aktiviteti, i cili u monitorua nga policia e Kosovës.
Sipas Policisë, Dragisha Milenkoviç dyshohet se si gardian i burgut në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina, konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se ka ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se arrestimi i Milenkoviç ka ndodhur pas një punë të gjatë hetimore, nga e cila janë mbledhur prova të mjaftueshme për ekzistimin e dyshimit për pjesëmarrje në krimet gjatë kohës së luftës.