Rektorja e Universitetit të Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”, Suzana Golemi, e cila u pezullua nga detyra ditën e sotme pasi u zhvaste para studentëve është shpallur në kërkim.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Shkodër, menjëherë pas publikimit në emisionin investigativ “Stop”, të një rasti korrupsioni dhe shpërdorimi detyre, të kryer në universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, kanë referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, si dhe kanë shpallur në kërkim shtetasen S. G., 59 vjeçe, banuese në Shkodër, me detyrë rektore e universitetit “Luigj Gurakuqi”. Vijon puna për kapjen e 59-vjeçares.
Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen D. L., 36 vjeçe, banuese në Shkodër, pedagoge në universitetin “Luigj Gurakuqi”.
Në pamjet filmike të transmetuara në emisionin investigativ “Stop”, këto shtetase shfaqen duke iu marrë studentëve të universitetit, shuma parash, në këmbim të favorizimit të tyre nëpërmjet notave.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër falënderon median dhe qytetarët që denoncojnë raste të paligjshmërive, si dhe i fton ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie që mund të hasin në vijim, në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112.