Një ditë pas takimit të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, me bartësit e dialogut nga Kosova dhe Serbia, diplomatët në Bruksel shpresojnë që këto takime të arrijnë uljen e tensioneve dhe që palët të kthehen në procesin e normalizimit të raporteve.
Disa diplomatë nga vende të ndryshme anëtare të Bashkimit Evropian, me të cilët ka kontaktuar Radio Evropa e Lirë, u shprehën se mbështesin kërkesat që Borrell u ka parashtruar të enjten kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Takimi i 22 qershorit në Bruksel ishte takim urgjent për menaxhimin e krizave, pas rritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kërkesat që Borrell u ka parashtruar liderëve kanë të bëjnë me tërheqjen e menjëhershme të njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat e komunave në veri, paralelisht me tërheqjen e protestuesve serbë. Kërkesa tjetër ka të bëjë me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës dhe pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në to.
“Nëse këto hapa bëhen, atëherë do të arrihet ulja e tensioneve dhe të krijohet një atmosferë në të cilën gradualisht do të adresohen çështjet tjera nga dialogu, e këtu gjithsesi është edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por edhe zbatimi i të gjitha pikave të marrëveshjes”, tha një diplomat evropian.
Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e policisë.
Që atëherë serbët vazhdimisht kanë protestuar. Protestat u përshkallëzuan në dhunë më 29 maj në Zveçan, kur protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e KFOR-it. Nga përleshjet, dhjetëra persona u lënduan nga të dyja palët.