Raportuesi përgjegjës për Ballkanin Perëndimor i partisë FDP në Bundestagun gjerman, Thomas Hacker, flet në një intervistë për DW për sfidat në konfliktin Serbi-Kosovë.
Zoti Hacker, tensionet mes Serbisë dhe Kosovës po rriten dhe dialogu po ngec. Si anëtar i Bundestagut gjerman përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, ju i njihni të gjitha perspektivat. Si e vlerësoni situatën?
Thomas Hacker: Fatkeqësisht, gjatë javëve dhe muajve të fundit, kemi parë herë pas here që njëra palë fajëson palën tjetër. Pas Krishtlindjeve kishim menduar se tensionet më të mëdha – bllokadat në veri të Kosovës – i kishim lënë pas. Tani po përballemi me tensione të reja. Policë rrëmbehen ose arrestohen, nga njëra anë thuhet se janë rrëmbyer në territorin e tyre, nga ana tjetër se janë kapur në territorin serb. Konfliktet sjellin me vete një dinamikë të rrezikshme që është pothuajse e pamundur të kontrollohet. Disa ushtarë të KFOR-it u plagosën rëndë gjatë protestave në fund të majit. Ky është një nivel i ri përshkallëzimi. Tani duhet të jetë vendimtare që të gjitha palët të kthehen në një proces normal të dialogut.