Lideri i grupit privat të mercenarëve, Wagner, tha se qëllimi i marshimit të trupave të tij drejt Moskës gjatë fundjavës, ishte për të shpëtuar kompaninë e tij dhe jo një përpjekje për të rrëzuar Qeverinë ruse.
Në deklaratën e parë publike që kur tërhoqi trupat vetëm 200 kilometra larg Moskës, Yevgeny Prigozhin, përmes një audio-mesazhi, nuk tregoi vendndodhjen e tij apo për planet e tij në të ardhmen.
“Ne nisëm marshin tonë për shkak të padrejtësisë”, tha Prigozhin gjatë një audio-mesazhi 11 minutësh, duke iu referuar një sulmi të supozuar ndaj forcave të tij, sulm për të cilin ai fajësoi ushtrinë ruse.
“Ne shkuam për të protestuar dhe jo për të rrëzuar Qeverinë nga pushteti ”, shtoi Prigozhin.
Ndërkaq, autoritetet ruse kanë tentuar t’i rikthehen normalitetit duke shfuqizuar masat kundër terrorizmit në Moskë dhe disa rajone, pas rebelimit të shkurtër të Prigozhinit.