-sidi education-spot_img
23.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Pëllumb Nako: Kurth dhe shantazh në Bashkinë e Kukësit

Kryesoret

Më shumë se vetë skandali i ndodhur në zyrën e ish kryebashkiakut të Kukësit, më të frikshme janë komentet e mëpasshme, të bëra nga mjaft politologë me ndikim jo të vogël në opinionin publik të vendit. Nga këto komente të larmishme, duket qartë që shoqëria shqiptare ende nuk po gjen dot një ekuilibër të shëndoshë ndërmjet vlerës dhe antivlerës, ndërmjet asaj që ka rëndësi publike dhe asaj që ushqen kafenetë apo edhe orekset e fshehura politike. Gjithçka matet me burgun dhe me momentin kur skandali plas. Referimet dhe hamëndësitë janë të shumta, por jo të fokusuara në atë çka ka më shumë rëndësi: funksionimi normal i administratës vendore dhe qendrore të vendit.

Të kemi të bëjmë me një administratë të zgjedhur dhe të emëruar në mazhorancë efikase dhe me formim të qëndrueshëm etik. Ekziston për fat të keq një hon i madh ndërmjet asaj që shfaqet dhe asaj që ekziston realisht. Dhe skandalet ndjekin njëri-tjetrin. Vetë protagonisti, në gjykatë u shpreh se ishte viktimë e një kurthi. Po ashtu komentet e panumërta flasin për të njëjtën gjë duke parashikuar madje komplikime të mëtejshme në këtë histori. Të flasësh në një rast të tillë se je ndodhur para një kurthi, nuk përbën asnjë grimë justifikimi për dikë që ka pushtet ose nuk ka pushtet. Sepse është mjaft e thjeshtë. Ata që ngritën kurthin njohin dobësinë e “viktimës” dhe përdorin gjithë mënyrat dhe mjetet e mundshme për ta realizuar objektivin e tyre.

Ndaj dhe në mënyrë absolute ky fakt, nuk përbën asnjë avantazh për “viktimën”. Në rast se “viktima” nuk do të kishte një dobësi të tillë, që të shkelë gjithë rregullat minimale të etikës së shërbimit publik, sigurisht nuk do të kishte kurth. Le të mendonim për një moment që dobësi të tilla të prezantohen sidomos në botën diplomatike shqiptare apo në atë të organeve të sigurisë kombëtare, dëmet do të ishin kolosale. Pra, rënia në kurth, është rrethanë rënduese në kushtet e ushtrimit e detyrës, dhe jo një justifikim që të lehtëson. Argumenti i “kurthit” më shumë akuzon se sa justifikon. Nga ana tjetër, një gazetar televiziv, në një nga emisionet e tij, thotë se kjo gjë ndodh rëndom në administratë dhe bëhet kudo. Pra akti i ish kryebashkiakut të Kukësit relativizohet duke u konsideruar sikur është një fenomen i përhapur gjerësisht.

Edhe një pohim i tillë pasqyron një realitet të hidhur në kalbëzim, qoftë edhe nëse është i vërtetë në një përqindje të ulët. Duke mos bërë “moralistin”, nëse fenomene të tilla perceptohen në kufijtë e një normaliteti dhe ndodhin rëndom, kjo do të thotë se flitet jo vetëm për një degradim moral të administratës dhe pushtetit, por edhe për mundësi të shumta të rënies në “kurth” të gjithë “morisë” se drejtuesve të niveleve të ndryshme të administratës që veprojnë si ish kryetari i Bashkisë së Kukësit. Pra nëse i referohemi thënies lidhur me masivitetin e fenomenit, aktualisht kemi një administratë që mund të bjerë “në kurth” me lehtësi dhe në numër të madh. Gjithçka mbetet çështje kohe dhe fati se ndryshe të gjitha ndodh. Një hamëndësi e tillë nuk lë shteg jo vetëm për shtet të së drejtës, por as fare për shtet. Por historia nuk mund të mbyllet vetëm me teorinë e “ kurthit.” Në vazhdim të sagës së ngjarjes së Kukësit, të thurur e shthurur me dhjetëra herë në kanale të ndryshme televizive, është normale që pasi të flasësh për një “kurth”, në vazhdimësi do të duhet të flasësh e të zbulosh se cilët janë autorët që realizuan kurthin dhe mbi të gjitha cili ishte interesi i tyre që e ngritën.

Kjo sepse pasi viktima bie në kurth, ajo është mjaft i shantazhueshme. Dhe të qënurit i shantazhueshëm mbetet problem madhor, aq sa nuk e ke më veten në dorë për çdo akt që kryen. Pra kemi një të sapo të zgjedhur, në krye të pushtetit vendor në qytetin e Kukësit, një person të shantazhueshëm. Dihet që shantazhimi është një fenomen i cili përdoret rëndom edhe për qëllime politike. Për ta pasur sa më të lehtë numrin një, për të realizuar pa asnjë pengesë apo oponencë çdo projekt, për të pasur një pushtet sa më absolut, ka mjaft politikanë liderë, pjella të regjimeve politike hibride, të cilët mbajnë rregullisht rreth tyre dhe u japin poste, personave të shantazhueshëm. Pra, rëndësi më ketë rast ka të jesh i shantazhueshëm, jo të shantazhosh.

Ky i fundit nuk hyn në punë fare. Por, në rastin tonë konkret, të paktën nisur nga ajo që u tha e u përsërit shpesh, situata duket më e ndërlikuar dhe me e keqe. Sipas komenteve, vajza që e futi kryebashkiakun në kurth, punonte për llogari të një grupi kriminal të fortë dhe që e mbronte atë. Kjo gjë, thjesht është e rëndë. Atje ku shteti krijon hapësira, është krimi i organizuar që zë vendin. Atëherë nëse komente të tilla kanë vërtetësi, problem goxha i rëndë për shoqërinë shqiptare mbetet fakti se paskemi të zgjedhur ne krye të bashkisë një individ me dobësi. Këto dobësi i njihen sepse e tërhoqën në kurth dhe pas tërheqjes në kurth, e shantazhojnë dhe për më tepër, ata që e shantazhojnë janë grup kriminal.

Pyetje që bëhet del natyrshëm e thjeshtë. Po shteti ku është? Ka shtet? Në gjithë këtë histori, shantazhimi nga një grup kriminal është mjaft tragjik. Fakti tregon se krimi i organizuar, grupet kriminale njohin dobësitë e të zgjedhurve, u ngrenë kurth dhe i shantazhojnë. Askush nuk flet dot se sa raste të tilla të tjera mund të ekzistojnë, për aq sa nuk plas skandali. Veprimet e mëpasshme ligjore që konkluduan me futjen e ishkryebashkiakut në burg, mbeten një fakt periferik sepse akti i duhur duhet të ishte mos paraqitja e tij fare si kandidat për Bashkinë e Kukësit. Pra, e njihnin vendimmarrësit e lartë të pushtetit këtë dobësi të këtij individi që ua dërguan para banorëve të një rrethi për të punuar për hallet e tyre?

Përderisa janë grupet kriminale që e dinë dhe i ngrenë kurth, edhe vendimmarrësit politikë që e caktuan kandidat duhet të kishin ndonjë informacion. Nëse është e vërtetë ajo që thotë gazetari, që ky fenomen është masiv, atëherë jemi përball një standardi i cili lehtësisht mund të shfrytëzohet nga grupet kriminale. Pra rëndësia e problemit i kalon kufijtë e thjesht mortalitetit, i cili në fakt nuk është pak i rëndësishëm. Krijohen të çara nga e cila grupet kriminale përfitojnë fare lehtësisht dhe shoqëria shqiptare nuk do të jetë në gjendje të ndaj e të dallojë pushtetin ligjor nga ai kriminal.

Vihet në pikëpyetje jo vetëm siguria, por në tërësi edhe vlerat te të cilat duhet të besojë një shoqëri me civilitet normal. Dhe kjo ka rëndësi për qytetarin e thjeshtë. Personat që ai voton të mos kenë dobësi të tillë si personazhi në fjalë, në mënyrë që të mos bien në kurth e pastaj të shantazhohen nga grupet kriminale. Është e thjeshtë të kuptohet se nuk mund të ketë më të keqe në shoqërinë e një vendi se sa fakti që një i zgjedhur të shantazhohet nga grupe kriminale për shkak të dobësive të tij pasionale.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit