Korporata Elektroenergjitike Shqiptare që drejtohet nga Ergys Verdho pak ditë më parë shpalli fituesin e një tenderi që ngre hije të forta dyshimi. Verdho prokuroi një tender me fond 127 milionë lekë për shërbime në funksion të komunikimit, promovimit dhe organizimit të aktiviteteve të KESH-it. Fituesi e mori tenderin me 109 milionë lekë. Po ku janë dyshimet? Në këtë garë kishte dy oferta. “5Pyetjet.al” sjell dokumentet.
Bashkimi i operatorëve “Optima Communication sh.p.k” me “Pik sh.p.k” që ofruan 109 milionë lekë dhe “Filara’ sh.p.k, e cila rezulton se ka qenë vetëm si fasadë në këtë garë, pasi zarfi është dorëzuar bosh. Pra nuk ka dhënë asnjë ofertë. Kjo lëvizje, pjesëmarrja në një procedurë prokurimi sa për “sy e faqe” si fasadë për të mos qenë një e vetme lë “shteg” për dyshime.
Nisur nga ky marifet, faqja që monitoron prokurimet publike ka ngritur “kartonin e kuq” për mungesën e konkurrencës në këtë tender. Kalojmë te preventivi. Për çfarë do të harxhohen këto lekë. Nuk janë pak, por 109 milionë, pa llogaritur TVSH-në që dolën nga buxheti i KESH-it.
Preventivi thotë se do të shkojnë për; blloqe shënimesh, broshura, faqosje, printim, kartë me rrip, poster, kartolina, kalendar zyre, kameraman, fotograf, bluza me logon e KESH-it, kapele, etj që do të përdoren sipas sqarimit në tender për aktivitetet. Një shpenzim jo i vogël në një kohë që pak javë më parë Edi Rama paralajmëroi se “me ardhjen e verës duhet të rihapim diskutimin për fashën” për shkak të krizës.