Presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko ka ftuar mercenarët e grupit “Wagner” në vendin e tij për të trajnuar ushtrinë e tij. “Për fat të keq, ata (mercenarët e Wagnerit) nuk janë këtu”, tha Lukashenko. “Dhe nëse instruktorët e tyre, siç u thashë tashmë, vijnë dhe na përcjellin përvojën luftarake, ne do ta pranojmë këtë përvojë” tha ai, shkruan CNN.
Gjithashtu udhëheqësi i Bjellorusisë u ka kërkuar bjellorusëve të mos “shqetësohen” për ardhjen e supozuar të grupit të mercenarëve Wagner, pas kryengritjes së tyre të dështuar në Rusi. Deklarata e Lukashenkos vjen pasi u shfaqën imazhe satelitore të një kampi që po ngrihej në lindje të vendit.
Lukashenko po fliste në një fjalim për Ditën e Pavarësisë më 30 qershor kur tha se bjellorusët – të cilët i ka udhëhequr me grusht të hekurt për tre dekada – duhet të “qetësohen”.
Mercenarët e Wagnerit kanë qenë thelbësorë në përpjekjet luftarake të Rusisë në Ukrainë që nga fillimi i luftës, por shefi i tyre, Yevgeny Prigozhin, udhëhoqi mijëra mercenarë në një rebelim dhe marshim drejt Moskës, duke u ankuar për paaftësinë e ushtrisë së rregullt ruse.
Lukashenko ndërmjetësoi midis Prigozhinit dhe regjimit të presidentit të Rusisë, Vladimir Putinit, në kulmin e krizës më 24 qershor, duke ofruar strehim për Prigozhinin dhe një numër të panjohur të luftëtarëve të tij.