Një zyre ndërkombëtare që do të hetojë Rusinë për pushtimin e saj të Ukrainës është hapur më 3 korrik në Hagë. Ky është hapi i parë drejt një tribunali të mundshëm kundër udhëheqjes në Moskë.
Qendra Ndërkombëtare për Ndjekjen e Krimit të Agresionit (ICPA) ka prokurorë nga Kievi, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC).
Kjo zyrë do të hetojë dhe do të mbledhë dëshmi, në një lëvizje që po shihet si hap i përkohshëm para krijimit të një tribunali special, që mund të sjellë para drejtësisë zyrtarët e Kremlinit për nisjen e luftës në Ukrainë.
Disa zyrtarët të lartë të ICPA-së do të mbajnë një konferencë për media më vonë gjatë ditës. Në këtë konferencë pritet të flasin prokurori i përgjithshëm ukrainas, Andriy Kostin, prokurori i ICC-së, Karim Khan, ndihmësprokurori i përgjithshëm amerikan, Kenneth Polite, dhe Komisionari i BE-së për Drejtësi, Didier Reynders.
Thirrjet për krijimin e një tribunali special për Ukrainën janë shtuar sepse ICC-ja, gjykata për krime të luftës që po ashtu ka selinë në Hagë, nuk ka mandat për të hetuar krimin e gjerë të agresionit.