I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, gjatë kësaj jave, do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë, në përpjekje për të shtensionuar situatën në veri dhe për të bindur palët që të kthehen në dialog.
Në Prishtinë, Lajçak pritet të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.
BE-ja kërkon tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave komunale në veri, paralelisht me tërheqjen e protestuesve serb. Po ashtu, blloku evropian po kërkon tërheqjen e kryetarëve të rinj nga ndërtesat komunale, shpalljen e zgjedhjeve në veri dhe zotimin publik të serbëve se do të marrin pjesë në votime.
Për shkak të mospërmbushjes së këtyre kërkesave, BE-ja ka nisur të zbatojë disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Ato përfshijnë: ndalimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mospjesëmarrjen e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Masat tjera përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor po ashtu nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.
Që kur janë rritur tensionet në veri në fund të majit, nuk ka pasur takime në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. /REL
Artikulli i plotë këtu.