Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani raportoi sot në Kuvend për punën që ka bërë Prokuroria e Posaçme për vitin e kaluar. “Rastet e pastrimit të parave është gjithnjë në rritje” tha ai. Më pas, kreu i SPAK-ut, renditi problemet që ka institucioni që drejton prej 6 muajsh.
“Problematika më e madhe është numri i madh i procedimeve të mbartura në vite. Ngelet që ky vit, që nga fillimi dhe në vijim prokurorët të fokusohen në evadimin e tyre, ngarkesa bëhet shqetësuese. Duhet patjetër t’i japim zgjidhje.
Kemi vuajtur mungesën e infrastrukturës. Kemi punuar 3-4 hetues në një zyrë. Administrata është shumë veta në një zyrë. Por kjo tani mund ët quhet e zgjidhur. Kemi marrë në pronësi një godinë pranë godinës ku ushtrojmë funksionet.
Problematikë është mungesa e ekstradimit të personave nga Emiratet e Bashkuara. Nuk kemi marrë asnjë refuzim deri tani, por nuk kemi asnjë të ekstraduar.
Statusi i pagesave të ekspertëve të provave dixhitale nuk është i kënaqshëm. Kemi tre ekspertë më të mirët në treg, por trajtimi i tyre lë për të dëshiruar. Kemi frikë se mund të na largohen” tha ai.