Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel pas takimit me kryeministrin Albin Kurti u shpreh se dy vendet kanë lidhje të forta. Bettel tha se nuk ka shkuar në Prishtinë me homologun holandez për të gjykuar Albin Kurtin por për të dëgjuar palën dhe për t’u munduar për të gjetur një zgjidhje.
“Kur kemi planifikuar këtë udhëtim nuk kemi pritur që do të jenë këto tensione që janë në rajon, dhe i thamë edhe Kurtit që nuk jemi këtu për të gjykuar por për të dëgjuar dhe të mundohemi të ndërtojmë ura mes fqinjëve.
Dje ishim në Beograd e sot në Prishtinë dhe ishte e rëndësishme të shkëmbejmë dhe të dimë se është një udhërrëfyes nga BE-ja.
Ju e dini se çka do të thonë tensionet, kështu që ne duhet të shmangim çdo mundësi të ndonjë krize të re të mundshme ku shoqëria civile dhe populli vuan më së shumti.
Ju mund të llogarisni në ne, nganjëherë është e vështirë të kemi diskutime me fqinjët, për ne e rëndësishme është të besojmë në punën e përfaqësuesit të lartë të BE-së dhe të dërguarit të BE-së dhe të kemi dialog të hapur.
Nuk jemi shteti më i madh, dhe e dimë se duke punuar me të tjerët është shumë me rëndësi për të gjetur zgjidhje. Ju mund të llogarisni në ne”, tha Bettel.









