Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë, Arbërie Nagavci ka njoftuar se puna shkencore e hulumtuesve kosovarë është duke iu njohur sërish shtetit të Serbisë.
Në shtator të vitit të shkuar kjo ministri njoftoi se platforma për indeksimin e revistave shkencore, Scopus, njohu Kosovën duke e vendosur emrin e saj në punimet e komunitetit hulumtues kosovar. Por, situata ka ndryshuar dhe ministrja Nagavci në konferencën për media ka thënë se nuk i di arsyet e kësaj.
“Në momentin që e kemi vërejtur se pa asnjë paralajmërim përsëri kanë filluar të rishkruhen me emrin e Serbisë, ne kemi filluar direkt komunikimin me përfaqësuesit e Scopus në Holandë. Kemi adresuar disa e-maila zyrtare.
Personalisht kam kërkuar letër formale zyrtare përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe synimi ka qenë që të rregullohet kjo çështje”, ka thënë ajo.
Ministrja tregoi se për këtë çështje ka biseduar edhe me ambasadoren e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo, së cilës i ka kërkuar mbështetje në proces të rinjohjes.