-sidi education-spot_img
12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Veton Surroi: Jeta e gjatë e fjalës “terror”

Kryesoret

Statistika e ftohtë shpjegon se brenda dy ditësh në Serbi u vranë gati po aq serbë sa në Kosovë dhjetë vjetët e fundit. Statistika, megjithatë, nuk mund të shpjegojë jetën pandërprerë të një shoqërie në kulturë dhune, urrejtjeje dhe lufte. Këtë u përpoq ta bëjë Gjykata e Hagës në rastin Millosheviq.

Një fjalë qe e mjaftueshme për të kuptuar çfarë po ndodh. Fjala ishte “terror” dhe u shqiptua nga prijësi i policëve që zhveshën uniformat, dorëzuan armët dhe kaluan në jetë civile, për të qenë pjesë e protestave kundër terrorit.

Ngjarja ndodhi në nëntor të vitit të kaluar, policët që dorëzuan uniformat dhe armët ishin që të gjithë të nacionalitetit serb dhe shërbenin në katër komunat e veriut të Kosovës, të banuara me shumicë popullate serbe.

Akti pati një kundërthënie evidente: polici është aty për të penguar çfarëdo akti dhune, aq më shumë atë të skajshmin, terrorin. Pra, nëse bëhet terror, dhe për më tepër, siç deklaruan prijësit e policëve të zhveshur (të dekoruar më vonë nga presidenti i Serbisë) “terror kundër popullit serb në Kosovë”, atëbotë a është më mirë për popullatën që i është nënshtruar “terrorit” të ketë policë të atij nacionaliteti të armatosur apo të çarmatosur?

Pyetja, natyrisht, duhet të kontekstualizohet brenda të kuptuarit e fjalës “terror”. Në shpjegimin e bërë asokohe nga liderët policorë, “terrori” ishte kërkesa që veturat e qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, të kenë targa të emetuara nga autoritetet e Kosovës.

Targat dhe “terrori” vështirë se mund të jenë pjesë e arsyeshme e një fjalie.

Konteksti i fjalës “terror” duhet kërkuar diku tjetër. Njëra prej mundësive do të ishte analiza statistikore e dhunës, posaçërisht e dhunës drejtuar pjesëtarëve të nacionalitetit serb. Statistika, megjithatë, tregon diçka që nuk mund t’i afrohet “terrorit”, gjithsesi jo terrorit institucional shtetëror ndaj qytetarëve të nacionalitetit serb. Sipas statistikës zyrtare të autoriteteve të Kosovës (të verifikuar rregullisht nga EULEX-i) që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, në Republikë janë vrarë 34 qytetarë të nacionalitetit serb, që në mesataren e ftohtë matematikore del të jetë diçka mbi dy persona të vrarë në vit. Nga të gjitha këto raste, vetëm për 3 vrasje të dyshuarit e identifikuar për to dolën të jenë shqiptarë.

Thellimi në shënimet statistikore mund të japë edhe më shumë indikacione. Në dhjetë vjetët e fundit janë vrarë 22 qytetarë të nacionalitetit serb në Kosovë. Që të gjithë dorasit, në rastet e zgjidhura, dolën të jenë serbë. Nga numri i përgjithshëm i vrasjeve, 16 u bënë në regjionin e Mitrovicës së Veriut, që përbën 73 për qind të vrasjeve të serbëve në Kosovë.

Shikuar nga ky këndvështrim, policët që zhveshën uniformat e që lidhën fjalët “targa” dhe “terror” në një fjali, nuk kishin arritur për dhjetë vjet rresht të ndalnin turrin e vrasjeve, përfshirë edhe ato politike, siç ishte rasti me Oliver Ivanoviqin.

Statistika e vrasjeve të serbëve në Kosovë nuk i shërben ligjërimit të tanishëm politik zyrtar në Serbi. Përsëritja e fjalës “terror” që po bëhet në Beograd për të përshkruar veprimin e autoriteteve të Kosovës karshi serbëve të vendit nuk gjen mbështetje në statistikë. Madje, është krejtësisht e pakuptimtë të vijë nga një vend që jeton në kulturën e dhunës prej kohësh. Brenda dy ditësh të majit, 3 dhe 5 maj, në Beograd dhe Mlladenovc u vranë 18 serbë, prej të cilëve 9 fëmijë. Ky numër është për katër më i vogël se numri i serbëve të vrarë në Kosovë gjatë dhjetë vjetëve të kaluar. Në thjeshtësim ligjërimi do të mund të formulohej fjalia se “në Serbi për dy ditë të majit janë vrarë gati po aq serbë sa në Kosovë për dhjetë vjet”.

Natyrisht, rastet e Beogradit dhe të Mlladenovcit janë të skajshme, janë vrasje masovike pa ndonjë motiv të qartë politik. Por, siç tregon statistika e Kosovës, as vrasjet në Kosovë nuk kishin ndonjë prapavijë, së paku jo ndëretnike.

Por, gjithsesi është më lehtë në Beograd të vazhdohet me ligjërimin e inercisë së “terrorit ndaj serbëve në Kosovë” e të mos flitet për një shtet që si Serbia jeton në kulturë të urrejtjes, luftës dhe dhunës. Brenda asaj shoqërie, është fare e mundur që ligjërimi i shumicës të përpiqet ta zëvendësojë imazhin e fëmijëve të vrarë në Beograd me atë të “terrorit” në Kosovë.

Dhe, kjo nuk është shpikje e re. Në gjykimin e S. Millosheviqit në Tribunalin e Krimeve të Luftës së Ish-Jugosllavisë, prokuroria ftoi një ekspert francez të mediave, profesorin Renaud de La Brosse të Universitetit Reims Champagne-Ardenn, që të shpjegonte se si ideologjia serbomadhe instrumentalizoi mediat në mënyrë që të arrihen objektivat e saj. Profesori paraqiti një punim të detajuar të veprimeve të mediave të kontrolluara nga pushteti që do të krijonin ligjërimin e serbëve si viktima, diçka që do të fillonte me “terrorin” në Kosovë gjatë ngritjes së Millosheviqit e që do të mbërrinte kulmin me fillimin e luftës në Kroaci.

“Një temë e dytë e cila në mënyrë sistematike u zhvillua në shtyp është gjenocidi që gjoja popullata serbe e përjetonte si viktimë në Kosovë dhe kjo buronte nga fakti që Serbia nuk kishte sovranitet total mbi territorin e Autonomisë…. Përveç kësaj, ne shohim edhe në shtypin e asaj kohe një numër të konsiderueshëm artikujsh të cilët flasin edhe për rreziqet e asimilimit dhe gjenocidin e komunitetit serb në Kroaci”, deklaroi në gjykimin e Millosheviqit profesori de La Brosse.

Mediat qeveritare të kohës së sotme në Serbi vazhdojnë me ligjërimin e viteve tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë të zhbërjes së ish-Jugosllavisë. Pjesë e atij ligjërimi qe reportazhi i paraqitur në TV shtetërore nga Kroacia, si dëshmi në gjykimin e Millosheviqit:

– Në një reportazh kushtuar asaj teme, një gazetar tregon dhëmbët e artë në pëllëmbë para kamerës dhe pohon: “Kam dhëmbë floriri në dorë”. Ata më thanë se këta dhëmbë u nxorën me thikë nga njerëzit praktikisht të gjallë që u vranë më vonë”. Më pas gazetari vazhdon reportazhin duke folur me një të moshuar me uniformë jeshile:

– “A keni ndonjë shembull që ata kanë vrarë, prerë kokën ose i kanë bërë diçka dikujt, shembuj të tillë krimesh që kanë kryer?”

– “U largova më herët, jo, por me sa di, ka pasur tortura të tjera dhe çfarë kanë bërë.

– “Epo, therje, nxjerrje sysh, prerje gishtërinjsh. Thonj nga fëmijët, fëmijët… i gjetëm fëmijët në tepsi që donin t’i piqnin – prisnin -(…) Ushtarëve iu prenë kokat, u copëtuan…”.

Ky qe reportazh nga Vukovari. Aty nuk pati fëmijë serbë të prerë e as të vënë në tepsi, por doli të ketë kroatë të plagosur e të sëmurë që u nxorën nga spitali dhe u ekzekutuan.

Por ky ligjërim i pandërprerë sot po vazhdon të lërë pasoja.

Qoftë si ideologji, me fjalët e pandryshuara të S.Millosheviqit që përsëriten edhe sot:

“Çdo fëmijë e di të vërtetën për Kosovën dhe Serbinë, prandaj nuk kam nevojë të flas për të, dhe atyre që mendojnë se ka nevojë, do t’u thosha se nuk do të flas për këtë, sepse nuk do të pranonim këdo që të arsyetojë pse Republika e Serbisë nuk lejon që në Kosovë dhe Metohi të vriten sërish serbët dhe malazezët dhe pse nuk jemi gati për dialog për mundësinë e krijimit të shtetit shqiptar në tokën serbe. Që të mos ketë konfuzion, dua të them hapur se kushdo që kërkon devijime në këto çështje mund të luftojë vetëm duke rrëzuar udhëheqjen aktuale të Serbisë”.

Qoftë si kontribut për vazhdim të kulturës së dhunës, urrejtjes dhe luftës në Serbi. Në kulturën në të cilën përsëritja tridhjetëvjeçare e figurave të fëmijëve të prerë e të vendosur në tepsi, të gatshëm për t’u futur në furrë krijon çrregullimin që lë si viktimë fëmijët e sotëm serbë, të lindur në atë që do të duhej të ishte paqe./ Koha.net

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit