I dërguari evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha të mërkurën se vizita në Prishtinë e Beograd i kanë ndihmuar në qartësimin e hapave të ardhshëm për shtensionimin e situatës.
Ai i bëri këto komente në rrjetet sociale pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Beograd, në përpjekje për të gjetur rrugëdalje nga kriza në veri të Kosovës.
Zoti Lajçak tha se pati një bisedë të hapur e të sinqertë me presidentin serb “mbi rrugën përpara, duke përfshirë nevojën për zgjedhje të reja lokale me pjesëmarrje të serbëve të Kosovës si dhe rikthimin në dialog”.
Presidenti serb, Aleksadar Vuçiç tha pas takimit me zotin Lajçak se është diskutuar për situatën në Kosovë, mënyrat për të qetësuar tensionet në terren dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Ai tha se “edhe një herë paralajmërova se populli serb në Kosovë është i ekspozuar ndaj torturave dhe përndjekjeve më të rënda në 15 vitet e fundit dhe ripërsërita kërkesat për respektimin e të drejtave dhe sigurisë së tyre”, shkroi presidenti serb në rrjetet sociale.
Bashkimi Evropian po kërkon nga Kosova e Serbia që të përmbushin tre kërkesa që përfshijnë pezullimin e operacioneve policore, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës.
Zoti Lajçak shkoi në Beograd, pas një vizite në Kosovë ku theksoi pas takimeve me udhëheqësit në vend se ka një mirëkuptim për nevojën për të ecur përpara me këtë plan tre pikësh.
“Ende duhet të vazhdojmë diskutimet tona për hapat konkretë që do të na çojnë atje”, tha zoti Lajçak./VOA
Artikulli i plotë këtu.