Prej gjashtë orësh vazhdon në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit seanca e mbrojtjes së Lefter Kokës dhe të akuzuarve të tjerë për inceneratorin e Elbasanit.
SPAK ka kërkuar 10 vite burg për ish-ministrin që me aplikim të gjykimit të shkurtuar nëse shpallet fajtor, do të dënohet me 6.8 vite burg. Koka nuk i ka pranuar akuzat. Ai tha se gjithçka kundër tij është e stisur nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.
“Kjo është e stisur nga presidenti me fallxhoren e tij, që thoshte mejhaneve që do më fuste në burg. SPAK u bazua tek kallëzimi LSI, për 2 vite nuk më pyeti. Unë, si ministër, Sekretari i Përgjithshëm zbatuam ligjin, punuam me devotshmëri.
Është kohë e vështirë që kërkon burra e burrni, por unë s’i kam borxh askujt ta paguaj me lirinë time. Akuza e prokurorisë është idiote, hyra në politikë si biznesmen, nuk më bëri politika biznesmen. Nuk i kam futur dorën askujt në xhep” tha ai.
Mbrojtja ka paraqitur konkluzionet duke shfajësuar Kokën. Sipas avokatit, procedurën e koncesionit nuk e hap ministri, por Komisioni i Vlerësimit të Ofertave dhe se çdo vendimmarrje e komisionit ka kaluar edhe në filtrat e Këshillit të Ministrave duke ia kaluar “topin” e fajit qeverisë me në krye Edi Ramën.
Koka i hedh “topin” Ramës: Inceneratori i Elbasanit kaloi në dorën e qeverisë