Kryeparlamentari kosovar, Glauk Konjufca në një deklaratë të dhënë menjëherë pas përfundimit të takimin me kryeministrin, Edi Rama është shprehur se fokusi i bisedës së tyre ka qenë situata në veri të Kosovës.
Konjufca gjithashtu shtoi se ata diskutuan dhe për draft-raportin e propozuar nga Rama.
“Ne patëm një krizë në vitin 2017 kur u duk si për Kosovën dhe Republika e Shqipërisë ishte në anën e asaj që ishte shkëmbimi territorial, mendoj që e ka dëmtuar Republikën e Kosovës, edhe ideja e Ballkanit të Hapur sepse është dallim nga ajo për të cilën ka nevojë Kosova.
Dhe tani, është kjo e treta, që po ashtu po e dëmton Republikën e Kosovës kur ne jemi në të drejtën tonë dhe nuk po na kupton as Republika e Shqipërisë.
Unë mendoj se prej kësaj nuk ka gjëra pozitive, me këto pozicione Kosova vetëm dëmtohet.
Zoti Rama ka ndarë elemente të Asocacionit, mirëpo ai pretendon që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, mua më është dukur që element të caktuar te drafti i tij përmbajnë autonomi territoriale për serbët në Kosovë dhe kjo është në kundërshtim me interesin e popullit shqiptar,” deklaroi Konjufca.
Gjithashtu Konjufca u pyet për arsyen e refuzimit nga ana e Kurtit për një takim me Ramën ku u shpreh se
“Kështu funksionojnë ndonjëherë marrëdhëniet mes shteteve, kur ti do të përçosh një porosi të caktuar që ke qenë i lënduar dhe kjo nuk është çështje që kapërcehet sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Thjesht mendoj se elementi i sotëm që ka dashur të përçojë qeveria e Kosovës, është porosi minimaliste sepse ministrat homologë i nënshkruan marrëveshjet, krerët më të lartë të shtetit e pritën zotin Rama,” u shpreh më tej ai.