Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do të dërgojnë bomba thërrmuese në Ukrainë për ta ndihmuar atë në luftën kundër Rusisë. Nënsekretari i Mbrojtjes për politikat, Colin Kahl njoftoi të premten se Pentagoni do të dërgojë mijëra bomba të tilla, si pjesë e një pakete të re ndihme ushtarake me vlerë 800 milionë dollarë.
Vendimi pritet të nxisë zemërim tek disa aleatë dhe grupe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, që prej një kohe të gjatë kanë kundërshtuar përdorimin e bombave thërrmuese. Përkrahësit e këtij vendimi argumentojnë se Rusia ka përdorur bomba të tilla në Ukrainë. Po çfarë janë bombat thërrmuese, ku janë përdorur ato dhe përse Shtetet e Bashkuara do t’i dërgojnë ato në Ukrainë tani?
ÇFARË JANË BOMBAT THËRRMUESE?
Bombat thërrmuese përbajnë një numër të konsiderueshëm ‘bombash më të vogla’ që përhapen në një zonë të gjerë. Këto bomba të vogla janë projektuar për të goditur disa objektiva njëherësh, për të shkatërruar tanke, pajisje, apo për të goditur njësi. Lloji i bombës thërrmuese që planifikojnë të dërgojnë Shtetet e Bashkuara bazohet në një bombë të zakonshme 155 mm, që aktualisht, po përdoret gjerësisht në luftime.
Në konfliktet e mëparshme, është shënuar një numër i lartë rastes i mos shpërthimit të bombave, që do të thotë se mijëra bomba të vogla, të pashpërthyera, mbetën në terren, duke shkaktuar vdekjen apo gjymtimin e njerëzve dekada të tëra pas konflikteve. Shtetet e Bashkuara kanë përdorur bombat thërrmuese në luftën në Irak, në vitin 2003 dhe vendosën të ndërprisnin përdorimin e tyre pas zhvendosjes së konfliktit në zona më urbane me densitet më të lartë të popullsisë civile. /VOA