Nesër në orën 16:00 do të mblidhet Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të diskutuar dhe vendosur për kërkesën e SPAK-ut që kërkon leje për të arrestuar ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj. Lindita Nikolla në urdhrin që ka firmosur për mbledhjen e këshillit thotë se gjithçka do të jetë me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor.
Prokuroria e Posaçme njoftoi sot se ka kërkuar arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie në lidhje me hetimin mbi skandalin e incineratorëve.
Pas rikthimit të socialistëve në pushtet, në vitin 2013, ai u bë fillimisht Ministër i Ekonomisë dhe i Sipërmarrjes dhe më pas, Ministër i Financave. Ai u bë zëvendëskryeministër dhe ministër i Rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019.
Qeveria shqiptare akordoi një kontratë për ndërtim incineratori në Elbasan në vitin 2015 me procedurë emergjente, e cila më pas u konsiderua si e paligjshme. Dy kontrata pasuan për një incinerator në Elbasan dhe një në Tiranë, e cila vijon të jetë aktive.
Aktualisht në burg nën gjykim gjendet ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, i cili përballet me akuza korrupsioni dhe pastrimi parash si dhe Alqi Bllako, ish-sekretar i përgjithshëm në ministri dhe ish-deputet, nën akuzën për korrupsion. Ahmetaj është zyrtari më i lartë në gati tre dekada që përballet me akuza për korrupsion.