Ish-ambasadori gjerman dhe njohës i Ballkanit, Wolfgang Ischinger në një takim zhvilluar me gazetarët e huaj të akredituar në Berlin, u shpreh kundër taktikës së sanksioneve të ndjekura ndaj Kosovës.
“Ato sjellin përgjigje jo konstruktive”, tha ish-ndërmjetësues i Marrëveshjes së Dejtonit.
“Unë nuk jam për aksione të tilla ndëshkuese. Unë mendoj se Bashkimi Evropian duhet të bëjë kujdes që vendimet tona për sanksione, sikur është vepruar më parë edhe kundër Polonisë apo Hungarisë, të mos sjellin rezultate kundërproduktive.”
Ischigner tha se sanksionet mund të sjellin armiqësi të panevojshme për bashkëpunimin në BE.
Ai u shpreh se do t’i propozonte zotit Borrel ose Lajçak që të bëjnë një listë me shpërblime për ata që bashkëpunojnë.
Ischinger tha gjithashtu se vendet Ballkanit Perëndimor duhet të hyjnë në BE para Ukrainës.