Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se është i gatshëm të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, teksa bëri thirrje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës.
Presidenti serb Vuciç ka thënë më 6 korrik se do të kërkojë takim me Stoltenbergun pas samitit të NATO-s në Vilnius, dhe më pas, një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për shkak të situatës në Kosovë.
“Jam në kontakt të vazhdueshëm me [presidentin e Serbisë Aleksandar] Vuçiç dhe patjetër që jam i gatshëm të takohem.
Jemi të shqetësuar për rritjen e tensioneve në Kosovë dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të shtensionojnë [situatën] dhe të përmbahen nga çdo veprim që mund të përshkallëzojë më tej situatën në rajon”, tha Stoltenberg.
Duke folur në konferencën për media para fillimit të samitit të NATO-s në Vilnius të Lituanisë, Stoltenberg përsëriti se NATO është në Kosovë për të garantuar siguri dhe stabilitet në rajon.
“NATO është aty për të garantuar siguri dhe stabilitet për popullin e Kosovës. Ne e zbatojmë mandatin tonë në mënyrë të paanshme. E shtuam praninë tonë për shkak të destabilitetit, dhunës dhe tensioneve që kemi parë për disa javë”, tha ai.
Stoltenberg gjithashtu preku edhe temën për procedurat e anëtarësimit të Ukrainës në aleancë ku sipas tij duhet të thjeshtëzohen.
Ai tha se do t’u propozojë aleatëve që t’i mundësojnë Ukrainës kapërcimin e të ashtuquajturit Plan i Veprimit për Anëtarësim, i cili përfshin reformat ekonomike dhe politike që një vend kandidat duhet t’i përmbushë, përpara anëtarësimit të plotë./REL
Artikulli i plotë këtu.