Kryetari i ri shqiptar i Leposaviçit, komunë e banuar me shumicë serbe në veriun e Kosovës, po qëndron i mbyllur në ndërtesën komunale, prej kur hyri aty, mbi dyzet ditë më parë.
Lulzim Hetemi u ndihmua nga njësia speciale e Policisë së Kosovës që të futej në zyrën e tij, mëngjesin e hershëm të 29 majit, dhe që nga ajo ditë nuk është raportuar të ketë dalë nga objekti komunal.
Aty, Lulzim Hetemi ha, rri, punon, pastrohet dhe fle. Hyrja e tij në objektin komunal u prit me protesta nga banorë vendës serbë dhe nga grupe të ndryshme të dhunshme, që sulmuan forcat e rendit dhe gazetarët e mbledhur.
Vëllai i kryetarit të Leposaviqit pohon se familjari i tij po punon në kushte të jashtëzakonshme brenda ndërtesës komunale, por thotë se nuk mund t’i komentojë arsyet se si dhe pse ai po rri ende brenda komunës.
“Normalisht, puna e kryetarit është shumë sfiduese. Besoj, dhe shpresoj që ia del, por, këto rrethana, normalisht, janë shumë të rënda për të dhe për ne. Është problem të punohet në këto kushte, por, besoj se ai do t’ia dalë. Pse, si po qëndron, nuk mund të flas në emër të tij”, deklaron Bashkim Hetemi për Radion Evropa e Lirë.
Ai thotë se e gjithë familja Hetemi është e shqetësuar për mungesën e funksionimit të rendit dhe të ligjit në pjesën veriore të Kosovës.
Sipas Bashkim Hetemit, “diçka nuk është në rregull” as me qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare, e cila, ndonëse deklaroi njohjen e rezultatit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, po kërkon largimin e kryetarëve, përfshirë vëllain e tij, nga ndërtesat komunale./REL
Artikulli i plotë këtu.