Kuvendi ka miratuar shkarkimin e Bledi Çuçit, si ministër i Brendshëm me 84 vota pro, 3 kundër dhe 3 abstenim.
Ndërkohë me 75 vota pro është votuar Taulant Balla për të zënë postin e tij. 16 deputetë kanë votuar kundër ndërsa 1 ka abstenuar.
Kujtojmë se, tema kryesore e seancës së sotme plenare ishte mandati i Arben Ahmetajt, pas kërkesës së SPAK për arrestimin e tij, e që mori dritën jeshile edhe në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Mandateve.
Pas orësh të tëra tensione, përplasje, akuza, e madje edhe ofendime, PD e PS ranë dakord që seanca e posaçme për dhënien e autorizimit SPAK për arrestimin e Arben Ahmetaj të mbahet të premten në orën 10:00. Për të arritur në këtë vendim të Konferencës së Kryetarëve, seanca u parapri nga 4 orë debate e përplasje.
Çfarë kërkon SPAK?
Prokuroria e Posaçme i kërkon Kuvendit të hapë rrugën për arrestimin e ish zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, të cilin po e heton për tre akuza:“mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Bëhet fjalë për 400 faqe dosje ku krahas Ahmetajt ka dhe zyrtarë të tjerë të përfshirë dhe nuk është çudi që SPAK të mund të kërkojë masa dhe për persona të tjerë, mes tyre dhe biznesmenë.