Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), Aleksandar Vulin, janë përgjegjësi e tij “sepse nuk kam vendosur sanksione ndaj Rusisë”.
“Nëse ne do të vendosnim sanksione ndaj Rusisë, ata nuk do të vendosnin sanksione ndaj Vulinit. Po e them atë që më është thënë, që është: vendosni sanksione ndaj Rusisë dhe nuk do të ketë sanksione ndaj askujt”, tha Vuçiç për televizionin Pink më 13 korrik.
Ai nuk tregoi nëse Vulin do të zëvendësohet nga udhëheqja e BIA-s. Vuçiç deklaroi se sanksionet nuk kanë të bëjnë asgjë me armë apo drogë.
“Nëse ata ofrojnë ndonjë dëshmi të vlefshme, ne do ta ndjekim penalisht Vulinin. Por, këtu nuk ka asgjë, situata me Rusinë është problemi”, tha Vuçiç.
Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj Vulinit më 11 korrik. Ai dyshohet se është përfshirë në afera korruptive dhe trafikim të drogës si dhe për lidhje me Rusinë.
Duke folur për mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, Vuçiç tha se Serbia deri më tani “ka rezistuar” që ta marrë këtë vendim.
“Nuk e di nëse do të mund të vazhdojmë të qëndrojmë [pa vendosur sanksione ndaj Rusisë]”, tha Vuçiç.
Serbia është një nga shtetet e pakta në Evropë që ende nuk ka sanksionuar Rusinë për shkak të pushtimit të Ukrainës./REL
Artikulli i plotë këtu.