Albin Kurti nuk do të vijë në Tiranë. Një takim joformal i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor do të zhvillohet nesër në Tiranë.
I pranishëm në këtë mbledhje pritet të jetë edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheyli.
Takimi është menduar të zhvillohet në kuadër të përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë, më 16 tetor.
Ky takim është thënë se ka për qëllim diskutimin dhe koordinimin, për të hartuar kërkesa të përbashkëta, për t’i paraqitur në samitin e tetorit, ku pritet të marrin pjesë udhëheqës të vendeve të Bashkimit Evropian.
Megjithatë, as ky takim joformal nuk pritet të ulë në një tryezë kreun e ekzekutivit shqiptar, Rama, dhe homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti, marrëdhënia e të cilëve është ftohur prej disa muajsh.
Pak ditë më parë Kurti refuzoi ta priste Ramën në Tiranë dhe nesër nuk vjen, pasi ka zgjedhur të shkojë në një aktivitet në Greqi. Mediat në Prishtinë, njoftojnë se Kurti nesër në Tiranë do të çojë zv/kryeministrin Bislimi.