Komisioni i Ligjeve dhe ai për Media dhe Edukim diskutuan të hënën projektligjin e qeverisë për mjekët e rinj, që tenton të ndalojë eksodin e mjekëve duke i kushtëzuar ata me kontrata paraprake detyruese për të punuar në Shqipëri.
Projektligji i qeverisë i detyron studentët e Mjekësisë që të punojnë deri në pesë vite në Shqipëri përpara se të marrin diplomën, një kusht që po kundërshtohet përmes protestave nga studentët, dhe që u kritikua dhe nga deputetë të opozitës si cënim i të drejtave dhe lirive të njeriut.
Projektligji u fut me procedurë të përshpejtuar në punimet e Kuvendit duke i paraprirë vitit të ri akademik, edhe pse ministrja e Arsimit, Evis Kushi tha se nuk ishin akoma në kushtet e një emergjence kombëtare për mungesë mjekësh.
“Nuk jemi në emergjencë, por mund të jemi pas 2 vitesh ose më vonë,” tha ajo në Komisionin e Ligjeve, por pranoi nëpërmjet shifrave që kushtëzimet e parashikuara në ligj vinin nga nevoja për më shumë mjekë në sistemin shëndetësor.
“Aktualisht kemi 5400 mjekë në sistem, që i bie 1.93 mjekë për 1000 banorë, shumë larg vendeve të OECD,” tha Kushi.
Sipas ministres së Arsimit, shkalla e emigracionit ishte 20 për qind e mjekëve të diplomuar dhe se nga vendi ynë drejt vendeve të BE-së, SHBA, Britani e Madhe e Kanada, janë larguar 1200 mjekë në vitet e fundit./BIRN
Artikulli i plotë këtu.