Ministri i Punëve të Brendshme, Taulant Balla, ka zhvilluar paraditen e sotme takimin e tij të parë me strukturat drejtuese të këtij institucioni, që prej marrjes zyrtare të detyrës, pozicion që deri dje e mbante Bledi Çuçi.
Në fjalën e tij, Balla tha se e sotmja nuk ka krahasim me të kaluarën, por kërkoi që e ardhmja të jetë shumë më e mirë se e sotmja. Ai deklaroi se kushdo që do të ketë vullnetin për të punuar dhe përkushtuar detyrës së tij, do ta ketë mbështetjen e tij personale dhe derën e tij të hapur.
Por, nga ana tjetër paralajmëroi të gjithë ata, të cilët nuk do ta kenë vullnetin për ta bërë një gjë të tillë, që do ta kenë të pamundur të qëndrojnë në pozicionet që kanë.
“E sotmja nuk ka krahasim me të kaluarën. Por e ardhmja duhet të ketë krahasim me këtë të sotme, dhe unë jam këtu me detyrën për të vazhduar me ju ndërtimin e murit, edhe më mirë edhe më shpejt, duke bërë çdo gjë në mënyrën e duhur.
Kushdo që do jetë i gatshëm ta bëjë këtë gjë, do ketë mbështetjen time dhe derën time të hapur për ta çuar para punën tonë. Ndërsa kush nuk do ta ketë këtë dëshirë, do ta ketë të pamundur të qëndrojë në pozicionin që ka.”, u shpreh ndër të tjera në fjalën e tij ministri Balla.