Presidenca e Kosovës ka dalë në një deklaratë zyrtare pas takimit që Osmani ka zhvilluar sot me përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së: Organizatën e Veteranëve, Shoqatën e Invalidëve dhe Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve.
“Në takim me përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, Presidentja Osmani i ka njoftuar ata se Ligji për Pagën Minimale ende ndodhet në Kuvend dhe sapo të vjen në Presidencë do të trajtohet nga ana e ekspertëve ligjorë në Presidencë dhe në përputhje me kompetencat kushtetuese të institucionit të Presidencës”, thuhet në komunikatën për media.
Osmani ka theksuar se ky ligj do të analizohet nga Zyra e Presidentes dhe më pas do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese e ligjore të Presidentes dhe duke pasur parasysh rëndësinë e trajtimit të këtyre kategorive.
“Në këtë takim, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, prezantuan edhe disa nga sfidat me të cilat përballen këto kategori dhe u dakorduan ta vazhdojnë komunikimin për trajtimin e tyre”, thuhet mëtej në deklaratë.