Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stolteberg, ka thënë të mërkurën se është shumë e rëndësishme që të ulen tensionet në Kosovë, dhe që të dyja palët të përmbahen nga dhuna.
Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi që e ka zhvilluar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
“Ne besojmë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të rifillojë”, ka shtuar ai.
Ai ka rikujtuar se NATO-ja e ka rritur prezencën e misionit të saj në Kosovë, KFOR, për shkak të tensioneve të fundit në veri.
“Ne do të vazhdojmë ta ruajmë paqen, siç e parasheh mandati ynë”, ka thënë Stoltenberg, duke shtuar se forcat e NATO-s do të jenë aty për ta kryer mandatin që e parashikon Kombet e Bashkuara.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se është shumë i shqetësuar rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë, dhe i ka kërkuar NATO-s që, përmes KFOR-it, të ofrojë siguri për serbët që jetojnë aty.
Sipas tij, Beogradi beson që, “veprimet e papërgjegjshme të qeverisë së Kosovës”, janë arsyeja kryesore e zhvillimeve të fundit.
Takimi mes Stoltenberg dhe Vuçiç është zhvilluar në ditën kur i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar në Bruksel me kryenegociatorët e të dyja vendeve: Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviç. /REL
Artikulli i plotë këtu.