Zonat bregdetare vijojnë të jenë më të lakmuarat për blerje pronash, sidomos nga shtetasit e huaj. Në fillim të sezonit të pranverës, çmimet e apartamenteve në bregdet, sipas të dhënave të agjencive imobiliare, në Sarandë u rritën rreth 40% krahasuar me vitin e kaluar.
Në Durrës dhe Qerret, pronat u shtrenjtuan 15%. Aktualisht rritja e kërkesës dhe oferta e ulët te pronat në vijën e parë bregdetare ka sjellë tjetër shtrenjtim deri në 20% të apartamenteve në Durrës. Ndërsa në Sarandë, rritje të çmimeve do të ketë te pronat e reja që përfundojnë së shpejti së ndërtuari.
Nga 1,500 euro që ishte çmimi maksimal ka arritur në 1,800 euro për metër katror. Gjuzi pohon se në raste të pakta çmimi i pronave luksoze arrin edhe në 2,000 euro për metër katror.
Në Sarandë pritet të ketë rritje tjetër të çmimeve të apartamenteve
Çmimet e apartamenteve në ndërtimet më së fundmi në Sarandë variojnë nga 1,500 deri në 2,500 euro për metër katror. Krahasuar me vjet çmimet janë rreth 40% më të shtrenjta.
Në këtë qytet janë drejt përfundimit të punimeve disa objekte të reja, me çmimi që priten të jenë mbi 2,500 euro për metër katror. Shkak i rritjes është cilësia e ndërtimeve sipas Çumanit, duke përfshirë komplekse me një sërë shërbimesh. Por rritja e çmimeve pritet të sjellë rënie të kërkesës.
Sakaq për këtë vit çmimet e apartamenteve në resortet e jugut, siç pohuan më herët zyrat e shitjeve për Monitor ishin nga 2,000 deri 3,500 euro për metër katror. Kërkesa për blerje apartamentesh në jug është më e lartë se për vilat dhe kryesohet nga shtetasit e huaj.
Tendenca e re e çmimeve të apartamenteve në Golem
Tashmë prej disa vitesh blerësit kryesorë të pronave për vijën bregdetare të Durrësit janë shtetasit e huaj. Ata janë kryesisht çek, polak, por edhe shqiptarë të diasporës. Ndërsa numri i vendasve që blejnë prona në Durrës është i pakët. /monitor