Një djalë 12-vjeçar dhe një grua kanë humbur jetën në Serbi gjatë një stuhie tjetër vdekjeprurëse, e cila goditi Ballkanin, kanë bërë të ditur mediat lokale, të shtunën.
Stuhia e së premtes fillimisht goditi Slloveninë, duke vazhduar drejt Kroacisë, e më pas drejt Serbisë dhe Bosnjës, ku solli erëra të fuqishme dhe shira të rrëmbyeshëm.
Autoritetet raportuan probleme me furnizimin me energji elektrike dhe dëme të mëdha, përfshirë pemë të shkulura, të cilat dëmtuan automjete dhe çati shtëpish, raporton AP.
Të mërkurën, një stuhi tjetër vrau gjashtë persona në rajon – katër prej të cilëve në Kroaci, një në Slloveni dhe një në Bosnjë.
Meteorologët kanë thënë se stuhitë ishin aq të fuqishme, sepse pasuan disa ditë jashtëzakonisht të nxehta. Ekspertët thonë se kushtet e motit ekstrem me gjasë janë nxitur nga ndryshimet klimatike.