Policia Kufitare njofton se, ka bllokuar 30 mjete të tjera lundruese, nga Vlora në Sarandë. Bëhet fjalë për 12 Jet Ski, 13 gomone dhe 5 skafe.
Krahas bllokimit të mjeteve lundruese, drejtuesit e tyre u ndëshkuan me masa administrative që variojnë nga 10 000 deri në 100 000 lekë të rinj.
Njoftimi i Policisë:
Shkeljet e konstatuara: lundrim/bregëzim jashtë zonës së përcaktuar, tejkalim i kapacitetit të mbajtjes së personave në bord dhe mungesë dokumentacioni.
Në Radhimë, Ksamil, Borsh, Lukovë dhe në Vlorë janë bllokuar 12 mjete lundruese Jet Ski. Njëri nga drejtuesit u ndëshkua me masat 100 000 lekë të rinj dhe 10 000 lekë të rinj, për lundrim në zonë të ndaluar dhe për mungesë dokumentacioni; 2 drejtues u ndëshkuan me nga 100 000 lekë të rinj, për lundrim dhe bregëzim në zonë të ndaluar, ndërsa 9 drejtuesit e tjerë u ndëshkuan secili me nga 10 000 lekë të rinj, për mungesë dokumentacioni;
Në Sarandë, Borsh, Jalë, Himarë, Radhimë, në gjirin e Vlorës dhe plazhin e vjetër Vlorë janë bllokuar 13 mjete lundruese gomone. 3 nga drejtuesit u ndëshkuan me masat 100 000 lekë të rinj dhe 20 000 lekë të rinj, për lundrim në zonë të ndaluar, për mungesë dokumentacioni dhe bregëzim në zonë të ndaluar; 9 drejtues u ndëshkuan secili me nga 10 000 lekë të rinj, për mungesë dokumentacioni, ndërsa drejtuesi tjetër u ndëshkua më 30 000 lekë të rinj, për tejkalim të kapacitetit të personave të lejuar në bord;
Në Radhimë, Dhërmi, në shpellën e Lukovës dhe në Vlorë u bllokuan 5 mjete lundruese skafe. 3 nga drejtuesit u ndëshkuan me masën 100 000 lekë të rinj, për lundrim në zona të ndaluara, ndërsa 2 drejtuesit e tjerë u ndëshkuan me 10 000 lekë të rinj, për mungesë dokumentacioni.