Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për herë të parë pas humbjes në Rrogozhinë, ku Edison Memolla fitoi përballë demokratit Shkëlqim Hoxha. Berisha akuzoi pushtetin për ndërhyrje dhe presione të forta për të fituar këtë bashki.
“U mbyll në Rrogozhinë në mënyrën më kriminale, pasi mandati që ia dhanë qytetarët e Rrogozhinës, kandidatit të ‘Bashkë Fitojmë’, Shkëlqim Hoxha, ia rrëmbyen në mënyrë kriminale dhe antiligjore, institucionet e farsës elektorale.
Ia rrëmbyen pasi rezultati ishte përmbysur nga qendra e paligjshme e ngritur në burgun e Rrogozhinës, qendër të cilën, institucionet e farsës elektorale, e përjashtuan nga gara elektorale, por përsëri nuk shpallën me urdhër të partisë, fitues zotin Shkëlqim Hoxha.
Shkelmuan në mënyrë të padenjë, antiligjore, votën e qytetarëve të Rrogozhinës dhe urdhëruan një proces të ri zgjedhor, në të cilin unë ju them këtu se u manifestuan të gjitha fenomenet më të shëmtuara antiligjore të farsës së majit 2023.
Në rezultatin e mbrëmshëm, qëndron një terror i paparë i ushtruar për një muaj rresht ndaj qytetarëve, ndaj biznesmenëve, ndaj zgjedhësve të Rrogozhinës.
Një terror i të gjitha formave, fiskal, fizik e të tjera. Në farsën elektorale u konstatuan manipulime të hapëta, fletë votimi të përgatitura paraprakisht, fotografim i fletëve të votimit në qendrën e votimit, votime në grupe, votime familjare, të gjitha format e shëmtuara.
E gjithë kjo farsë u drejtua nga Erion Veliaj, i cili në përfundim të saj, pranoi se shqiptarët nuk na duan. Pranoi se fituan, jo se na duan” tha Berisha.