Reforma e agregimit të sektorit të ujësjellës-kanalizimeve ka avancuar proceduralisht në shumicën e shoqërive teksa mbeten ende jashtë saj një numër i vogël.
Një nga rajonet me peshën më të madhe sa i takon numrit të popullatës që i shërben është Tirana në të cilën parashikohet që të riorganizohen tre shoqëri ekzistuese Tirana, Kamza dhe Vora.
Përpara se kjo të ndodhë është vendosur që të zhvillohet një studim fizibiliteti i cili do të analizojë pjesën ligjore, financiare dhe teknike të riorganizimit të shoqërive aksionare aktuale.
Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka njoftuar se tashmë është shpallur kompania fituese për këtë kontratë e cila do të duhet të dorëzojë studimin e fizibilitetit brenda harkut kohor të 120 ditëve dhe bëhet fjalë për American Capital me një vlerë 10.7 milionë lekë me TVSH.
Më herët Enti Rregullator i Ujit njoftoi se nga 58 shoqëri të sektorit pritet të krijohen 15 të tilla.
“Viti 2022 konsiderohet si viti i fillimit të një reforme rrënjësore në sektorin e ujit në Shqipëri, e cila synon të agregojë në baza vullnetare 58 shoqëritë UK ekzistuese të sektorit UK në 15 shoqëri UK rajonale të krijuara si Subjekte me Kompetenca të Përbashkëta (SKP) të regjistruara si shoqëri UK Rajonale, në të cilat qeveria qendrore nëpërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës do të zotërojë 51% të aksioneve të tyre.
Në vijim të reformës, deri në mbyllje të vitit 2022 janë krijuar 12 shoqëri UK Rajonale, ndërkohë që gjatë vitit 2023 priten të krijohen edhe 3 shoqëritë e tjera rajonale.
Objektivi kryesor i reformës është që nëpërmjet ekonomisë së shkallës të përmirësojë cilësinë e shërbimit, të rrisë efikasitetin dhe të përmirësojë qëndrueshmërinë financiare të ofruesve të shërbimeve UK,” thuhet në raportin e performancës publikuar nga ERRU pak javë më parë./Monitor
Artikulli i plotë këtu.