Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Rrogozhinës, Shkëlqim Hoxha ka reaguar për herë të parë pas humbjes në zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën.
“Faleminderit edhe atyre që vendosën të “ndërronin anijen” gjatë rrugës! Kjo periudhë rezultoi një eksperiencë unike dhe shumë mësime u nxorrën.
Rezultati i zgjedhjeve të 23 Korrikut për fat të keq nuk pasqyron realitetin dhe nuk është një shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve.
Ky rezultat u ndikua nga një makineri shantazhi dhe dhune ndaj administratës publike, biznesit dhe qytetarëve. I gjithë shteti zbarkoi në Rrogozhinë dhe sollën me vete një paketë me mbi 1500 vota.
Përballë patëm shtetin, oligarkët dhe makineritë tyre. Unë dhe njerëzit fisnikë që më rrethonin nuk u trembëm, nuk bëmë kompromise dhe nuk u përkulëm ndaj tyre, por luftuam deri në momentin e fundit për të mbrojtur vullnetin e qytetarëve të Rrogozhinës.
Votat i mbrojtëm dhe vota përsëri morëm! 4920 qytetarë përqafuan dëshirën tonë për Rrogozhinën një qytet më të mirë! 4920 falenderime të sinqerta për të gjithë ju që besoni në dinjitet dhe vlera njerëzore”, shkruan Hoxha.