Ministri i jashtëm grek, Jorgos Gjerapetritis ka reaguar në lidhje me refuzimin nga Gjykata e Lartë për të liruar kryetarin e bashkisë së Himarës, Fredi Belerin.
Sipas Gjerapetritis ky vendim është negativ dhe ka paralajmëruar Shqipërinë të respektojë shtetin e së drejtës nëse do të jetë pjesë e familjes europiane.
“Vendimi i Gjykatës së Lartë të Tiranës për rrëzimin e ankimit të kryebashkiakut të paraarrestuar të Heimarrës, Fredis Beleris për lirim nga burgu me kushte kufizuese vjen si shtesë e vendimeve të mëparshme të gjykatave shqiptare, të cilat në thelb i heqin z. Beleris të së drejtës për të betuar dhe marrë përsipër detyrat që i ngarkohen nga qytetarët e Heimarrës”, deklaroi Gerapetritis.
“Ky është një zhvillim negativ, që përbën një shkelje të qartë të parimeve themelore të shtetit të së drejtës, të cilat Shqipëria duhet t’i respektojë dhe t’u përmbahet nëse dëshiron të bëhet anëtare e familjes europiane.
I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare që të sigurojë menjëherë, ligjërisht apo administrativisht, betimin e menjëhershëm të Belerit brenda apo jashtë burgut”,- thekson ai.
Në përfundim të deklaratës Gjerapetritis njoftoi se Ministria e Jashtme do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimin e çështjes dhe do ta ngrejë këtë çështje në të gjitha forumet ndërkombëtare.