Pak ditë më parë, në 19 Korrik, ambasada e BE-së në Tiranë konfirmoi për “5Pyetjet.al” se fondet për sektorin e bujqësisë në Shqipëri janë pezulluar për shkak të një hetimi të nisur nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit me dyshimin për abuzime dhe korrupsion. Zyra e BE në Tiranë njoftoi se deri në përfundim të kontrollit financimet nuk do të jepen ndërsa vijueshmëria e tyre do të varet nga gjetjet e hetimit.
Por për çfarë rasti po hetohet Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural, që menaxhon fondet e “IPARD”-it në Shqipëri? “5Pyetjet.al” iu drejtua me një kërkesë për informacion Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit në Bruksel. “OLAF” iu përgjigj kërkesës duke theksuar se nuk mund të japin informacion se për çfarë dosje bëhet fjalë për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor.
Përgjigja e Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit për “5Pyetjet.al”
“Ne nuk jemi në gjendje t’i përgjigjemi pyetjes suaj. OLAF zakonisht nuk jep komente për rastet që mund ose nuk mund të trajtojë. Kjo për të mbrojtur konfidencialitetin e çdo hetimi të mundshëm dhe të procedimeve të mundshme gjyqësore që pasojnë, si dhe për të garantuar respektimin e të dhënave personale dhe të drejtave procedurale” thuhet në përgjigjen që zyra e “OLAF”-it i ktheu redaksisë së “5Pyetjet.al”.
Dyshimet janë se denoncimi erdhi nga Tirana duke vendosur në lëvizje Zyrën Europiane kundër Mashtrimit. Akuzat ishin të shumta nga opozita në drejtim të qeverisë për menaxhimin e fondeve. Ministrja e Bujqësisë, që ka në varësi “AZHBR”-në theksoi se kjo është një praktikë që ndodh edhe në vende të tjera dhe se fondet nuk janë pezulluar. Kryeministri Edi Rama deri tani nuk ka folur mbi këtë çështje.
Çfarë është “IPARD”? Fondet që pezulloi BE, si nisi hetimi dhe heshtja e qeverisë