Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar ashpër kryeministrin Edi Rama për korrupsionin dhe për mënyrën se si ai ka menaxhuar qeverinë.
Gjatë një deklarate të tij, Berisha theksoi se protesta e opozitës ka nxjerrë në pah praktikat korruptive të qeverisë dhe ka damkosur imazhin e Ramës.
“Qeverisja e Ramës bazohet në korrupsion, lobim korruptiv. Çdonjëri prej jush, çdo anëtar dhe mbështetës ftoj të kujtojë një deklaratë që u bë nga lobistët e Ramës… Pak vite më parë nuk janë diskutuar kurrë kërkesat e prokurorëve për heqje të imunitetit të ministrave dhe zv.kryeministrave dhe që as mund të diskutohen… Me kryengritjen tonë paqësore, ne kemi damkosur Ramën dhe qeverinë e tij. Kemi faktuar se shqiptarët nuk pajtohen me bllokimin e shtetit ligjor. Faktuam se shqiptarët nuk kanë kulturë pengmarrjeje… Kemi plagosur bishën në mënyrë përfundimtare… Rama nuk e merr më veten”, tha Berisha.









